U nda nga jeta Qazim Mulleti, ish-prefekti i Tiranës. Lindi në Tiranë. Mësimet e para i mori në Manastir e më pas ndoqi gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Si pjesë e një prej familjeve me ndikim dhe me financa të konsoliduara për kohën, i vazhdon studimet e larta në liceun “Gallatasaraj” të Stambollit. Pavarësia e gjen në Tiranë, ku bëhet pjesë e zhvillimeve politike. Ndërsa, ardhja e Vidit do ta gjente pranë shpurës së tij dhe së bashku me të u lagua drejt Vjenës. Rikthehet dhe angazhohet në lëvizjet politike të vitit 1920. Në Kongresin e Lushnjës loboi fort për caktimin e Tiranës kryeqytet. Qe mbështetës i forcave noliste dhe kundërshtar i Zogut që në orët e para. Në një klimë pasigurie dhe i shpallur “tradhtar” e i dënuar në Tiranë, Mulleti gjeti strehim në Paris, ku nuk do t’i mungojë mbështetja dhe përkujdesja italiane. Me ardhjen e Italisë fashiste, Qazim Mulleti kthehet në funksione qeverisëse. U largua nga Tirana me shpërfaqjen e forcës së Nacionalçlirimtares duke lënë në Tiranë bashkëshorten dhe të birin. Si drejtues i prefekturës së Tiranës ishte një nga figurat më të anatemuara të kohës. (Në fotografi: Qazim Mulleti)
Teksti: Arkivi Qendror Shtetëror
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Qazim_Mulleti
Përpunim grafik: AHCF




