U zhvillua “Beteja e Ujëbardhës”, betejë e ushtrisë osmane nën komandën e Isa bej Evrenozit dhe ushtarëve shqiptarë të udhëhequr nga Skënderbeu. Pas betejës së Beratit të vitit 1455, gjendja e brendshme politike e Shqipërisë u keqësua përkohësisht. Asgjësimi i forcave të Muzak Topisë në Berat shkaktoi lëkundje e frikë te disa fisnikë shqiptarë, ndonjë prej të cilëve kaloi edhe në anën osmane, siç ishte rasti i Moisi Golemit (Arianitit) dhe nipit të Skënderbeut, Hamza Kastriotit. Në korrik të vitit 1457, në tokat shqiptare u fut një ushtri e fuqishme osmane (për të cilën burimet e kohës japin një numër të ekzagjeruar prej 80 mijë vetash) nën komandën e Isa bej Evrenozit, i cili sapo kishte fituar një pozitë krejt të veçantë administrative për kontrollin e drejtpërdrejtë të rajoneve periferike lindore e veriore të viseve që ishin nën kontrollin e Skënderbeut dhe të fisnikëve të tjerë shqiptarë. Në këtë fushatë atë e shoqëronte Hamza Kastrioti, i cili ishte një njohës shumë i mirë ushtrisë shqiptare dhe i artit të saj luftarak. Më 2 shtator të vitit 1457, kur ushtarët osmanë po pushonin të shkujdesur në fushën e Ujëbardhës, pranë Mamurrasit, Skënderbeu, pasi grumbulloi dhe organizoi me shpejtësi forcat e veta, e goditi befasisht ushtrinë armike në disa drejtime. Të ndodhura në gjumin e mesditës, pa armë e me kuaj të pashaluar, trupat osmane pësuan një katastrofë të plotë. Shumica e tyre u vranë e ranë robër në duart e shqiptarëve. Fitorja i befasoi bashkëkohësit, të cilët shkruanin ato ditë se “Skënderbeu me një grusht ushtarësh theu, mposhti dhe dërrmoi një ushtri të pamasë turqish”. Midis robërve të shumtë ishte edhe Hamza Kastrioti, të cilin Skënderbeu e futi në burgjet e Italisë dhe më vonë e lejoi që të shkonte për të banuar në Turqi. Fitorja në betejën e Ujëbardhës pati rrjedhime pozitive të shumanshme politike dhe ushtarake në Shqipëri. Ajo ndikoi në forcimin e pushtetit politik të Skënderbeut mbi gjithë viset e lira shqiptare. (Në fotografi: Gravurë e një sulmi shqiptar në kampin turk, gjatë betejës.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 420–421.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Beteja_e_Albulen%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




