Forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës, të zbrazur nga trupat pushtuese. Lufta e Vlorës filloi më 5 qershor 1920. Ajo ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. Forcat shqiptare u pritën me brohori nga mijëra qytetarë e fshatarë dhe nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave të vendit, që kishin ardhur në Vlorë për të festuar së bashku këtë fitore të madhe të mbarë popullit shqiptar. Lufta e Vlorës së bashku me Kongresin e Lushnjës dëshmuan se populli shqiptar kishte arritur në një shkallë të tillë të zhvillimit politik dhe të ndërgjegjes kombëtare, që provonte se e kishte merituar Pavarësinë e Shpallur më 28 nëntor 1912, se ishte plotësisht i denjë për të pasur shtetin e pavarur kombëtar dhe i gatshëm për ta mbrojtur atë me çdo mjet, qoftë edhe përballë kundërshtarëve më të fuqishëm. Ngjarjet e Luftës së Vlorës dëshmuan njëherazi për forcën e bashkimit të të gjitha shtresave të popullit shqiptar për t’i bërë ballë rrezikut të jashtëm. Ato treguan gjithashtu sa i drejtë ishte orientimi i atyre qarqeve politike shqiptare, të cilat me mençurinë dhe me vendosmërinë e tyre e udhëhoqën popullin shqiptar në organizimin e qëndresës së armatosur dhe në fitoren e Luftës së Vlorës të vitit 1920. Lufta çlirimtare e Vlorës renditet ndër ngjarjet më të mëdha të historisë kombëtare të shekullit XX, që pati një rol vendimtar në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe në rivendosjen e pavarësisë së saj. (Në fotografi: Pjesëmarrja në luftën e Vlorës e forcave vullnetare nga krahina të ndryshme të vendit.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 165–167.
Fotografia: © Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Përpunim grafik: AHCF




