Nënë Tereza

Lexo ngjarje:

Në Kalkutë të Indisë u nda nga jeta Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu), motër nderi e Kishës Katolike, humaniste. Lindi në Shkup, në familjen Bojaxhiu me prejardhje nga Prizreni. U pagëzua në Katedralen e Zemrës së Krishtit në Shkup. Vendimin për t’u bërë “motër nderi” e mori më 1928, në Letnicë të Vitisë, ku është Shenjtorja e Zojës, për të cilin Nënë Tereza ushqente një ndjenjë admirimi e përkushtimi të posaçëm. Hyri në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor të po atij viti u nis për në Indi, në Kalkutë. Në maj të vitit 1931 u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën për vajza, St. Mary. Për një kohë punoi si profesore e historisë dhe e gjeografisë dhe më vonë si drejtore e shkollës për vajza, mirëpo gjatë gjithë kohës e tërhiqte puna me të varfrit, me të sëmurët dhe të braktisurit. Në vitin 1950, Vatikani miratoi bashkësinë rregulltare “Misionaret e dashurisë”, nëpërmjet së cilës Nënë Tereza realizoi punë të palodhshme bamirësie, humanizmi, paqeje e dashurie në Kalkutë dhe pastaj kudo tjetër në botë, duke përhapur frymën e humanizmit, të dashurisë dhe të përkujdesjes për të nëpërkëmburit e botës. Pas Kalkutës, u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në Tanzani dhe, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980 deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. Nënë Tereza mori çmimin “Nobel për Paqe”, më 1979 në Oslo. Kur mori çmimin, ajo tha: “Sa i përket gjakut dhe prejardhjes, unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Sipas thirrjes, jam rregulltare katolike dhe i përkas mbarë botës. Zemra ime i përket zemrës së Jezusit.” Më 1990 u shpall “Anëtare nderi” e Akademisë së Arteve dhe e Shkencave të Kosovës dhe përgjatë viteve ’70 –’90, ka vizituar pesë herë Kosovën, ndërsa në vitin 1993, bashkë me papa Gjon Palin II, vizitoi Shqipërinë. Në vitin 1997 mori “Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan” dhe u shpall “Qytetar nderi” e Amerikës. U bë ikonë e shekullit, duke marrë epitetin “Nëna Shenjtëreshë”. Veprimtaria e saj u bë frymëzim për shumë misionarë anekënd botës. “Misionaret e dashurisë” kanë dhjetëra shtëpi dhe mijëra motra të nderit. U nda nga jeta dhe u varros në Kalkutë të Indisë, në moshën 87-vjeçare. (Në fotografi: Shën Tereza

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1184–1185.

Fotografia: © https://www.radiomaria.al/shenjti-i-dites-5-shtator-shen-tereza-e-kalkutes-virgjer-1/

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img