Françesk Anton Santori

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta Françesk Anton Santori, poet e dramaturg. Lindi më 16 shtator 1819. Ishte nga Picilia (Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Studioi teologji dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Manastir, prej nga u largua vitet e fundit të jetës. Që herët nisi të mbledhë këngë popullore arbëreshe e të krijojë edhe vetë, lëvroi gjini e lloje të ndryshme, lirikën, poemën, novelën në vargje, romanin, dramën, tragjedinë, satirën e fabulën. Shkroi shumë, po arriti të botojë pak. Ndër botimet e tij janë: përmbledhja me lirika “Canzoniere albanese” (“Këngëtorja arbëreshe”), 1846, poemat “Valle e haresë së madhe” (1848) dhe “Il prigioniere politico” (“I burgosuri politik”), 1850. Përshtati me mjaft zotësi 112 fabula nga Ezopi dhe poetë të tjerë. Në krijimtarinë e tij trajtoi kryesisht problematikën sociale e rrallë dhe motive atdhetare. Veprën e Santorit e përshkon fryma demokratike. Gjinia që lëvroi më shumë është dramaturgjia. Fabulat e Santorit dallohen për plasticitetin e tablove, gjallërinë e dialogëve, humorin e mprehtë. Në romanet e Santorit bie në sy thurja e goditur e intrigës dhe skalitja e personazheve, po edhe etnografizmi e efektet e kërkuara dhe proliksiteti. Novelat në vargje të Santorit trajtojnë probleme shoqërore e politike. Në prirjen më të përgjithshme ato janë romantiko-sentimentale, po hera-herës mjediset dhe bota e brendshme e personazheve jepen me realizëm. Françesk Santori e zgjeroi tematikën e letërsisë arbëreshe dhe e pasuroi atë me përmasën e humorit. (Në fotografi: Përralla të Ezopit të përkthyera nga Françesk Santori.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2296–2297.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img