Gjatë ofensivës së dytë të forcave serbe kundër Jabllanicës (Kosovë) u vra Driton Zeneli, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në Gjakovë, në vitin 1972. Shkollën e mesme për aviacion e kreu në Rajlovc, afër Sarajevës, ku u diplomua për teknik të aviacionit. Shërbeu në aeroportin ushtarak në Gollubovc, afër Podgoricës, në Mal të Zi. Arriti të largohej nga ushtria jugosllave në vitin 1993, kur u kthye në Gjakovë, ku kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike. Punoi si mësimdhënës në fshatrat Doblibare dhe Dol të Gjakovës deri në mars të 1998-s, kur iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa muaj veproi në Gllogjan, si oficer në Shtabin Operativ të Rrafshit të Dukagjinit. Iu besua detyra e instruktorit për stërvitjen e rekrutëve të rinj. Më pas u emërua komandant në Shtabin e Jabllanicës. Mori pjesë në beteja të shumta. Në gusht të vitit 1998 u emërua komandant i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Njësitet e komanduara prej tij operonin në shumë fshatra të Dushkajës, Lugut të Baranit e deri në Sukë të Cërmjanit. Ra dëshmor në vitin 1998. (Në fotografi: Driton Zeneli)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1795.
Fotografia: © https://www.epokaere.com/haradinaj-kujton-driton-zenelin-e-bashkeluftetaret-tjere-te-rene-ne-ofensiven-e-shtatorit-98/
Përpunim grafik: AHCF




