Në Protopapë të Korçës u formua Brigada XX Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua me luftëtarë të batalionit “Tomori”, “Hakmarrja”, “Skënder Çaçi”, “Reshit Çollaku” dhe “Fuat Babani” të qarkut të Korçës, si dhe me një pjesë vullnetarësh të dalë nga qyteti i Korçës. Me një efektiv prej 800 luftëtarësh të organizuar në katër batalione, Brigada XX Sulmuese goditi e shpartalloi forcat kolaboracioniste që vepronin në zonën e Pogradecit dhe të Korçës, asgjësoi garnizonet naziste në Qukës e në Përrenjas dhe organizoi prita kundër autokolonave gjermane në rrugën Qukës-Qafëthanë, të cilave u shkaktoi shumë dëme. Më 22 tetor 1944, batalioni i dytë i saj, në bashkëveprim me Brigadën II Sulmuese dhe Brigadën IX Sulmuese, mori pjesë në mësymjen për çlirimin e qytetit të Korçës. Në kuadrin e luftës së Tiranës, më 30 tetor 1944 organizoi prita kundër autokolonave gjermane në rrugën Qukës-Elbasan. Natën e 11 nëntorit, në bashkëveprim me Brigadën XV Sulmuese, çliroi qytetin e Elbasanit dhe u vendos në zonën Elbasan-Librazhd-Polis, për të ndihmuar në forcimin e pushtetit popullor. Brigada drejtohej nga shtabi i saj me komandant Riza Kodhelin e komisar politik Misto Treskën. Nga radhët e saj ranë 31 dëshmorë. Në fillim të vitit 1945 botoi organin “Tribuna e partizanit”. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës XX Sulmuese.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 306.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




