U zhvillua “Kryengritja e Postribës”, një nga lëvizjet e para të armatosura antikomuniste. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës morën pjesë në këtë lëvizje, që ka vlera të mëdha në planin lokal, kombëtar, politik dhe gjeopolitik. Kryengritja e Postribës kishte premisat strategjike për t’u shtrirë si kryengritje e përgjithshme. Pra, ishte një kryengritje e mirëstudiuar, e cila do të sillte rrëzimin e diktaturës. Një grup rreth 200 vetash të drejtuar nga Jub Kazazi dhe Osman Haxhia, sulmuan kazermat ushtarake dhe ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Pas shtypjes së kryengritjes nisën edhe proceset ndëshkimore gjyqësore të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve. Në gjyqet e para, ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. Ditën e parë, në një fushë afër qytetit u ekzekutuan njëzet e tetë veta, u pushkatuan pa faj e pa gjyq shumë fshatarë, u dogjën shumë shtëpi. Ky akt guximtar u bë shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës nga elementët “armiq të popullit”. (Në fotografi: Jakup Kazazi i shtrirë dhe ekzekutorët komunistë rreth tij.)
Teksti: Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë
Fotografia: © https://muzeuimemories.info/qendresa-antikomuniste/
Përpunim grafik: AHCF




