Në Kovaç të Bohemisë lindi Karl Paç (Carl Patsch), arkeolog e historian austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë ilire. Deri më 1918 drejtor i Muzeut Krahinor të Bosnjë-Hercegovinës dhe i Institutit për Hulumtime Ballkanike në Sarajevë (atëherë nën Austro-Hungarinë); prej vitit 1921, profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Hulumtimi sistematik i Bosnjë-Hercegovinës, trevë e banuar prej ilirëve, e bëri Karl Paçin të zgjeronte rrezen e interesave të tij shkencorë edhe mbi Shqipërinë. Në serinë e botimeve të Institutit të Sarajevës, me kujdesin e Karl Paç u botuan një varg veprash, midis të cilave edhe prej autorësh shqiptarë, për gjeografinë, etnografinë dhe folklorin e Shqipërisë. Rezultatet e kërkimeve të tij arkeologjike dhe etnografike në terren, me një përshkrim themelor të vendgjetjeve dhe monumenteve të krahinave të Vlorës, Beratit, Apolonisë, Bylisit, Orikut e Amantias, Karl Paç i dha në librin: “Das Sandschak Berat in Albanien”, Vjenë, 1904 (“Sanxhaku i Beratit në Shqipëri”). Në vitet 1922–1924 Karl Paç punoi në Shqipëri, ku ndihmoi në përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi shqip dy libra, “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipnisë në kohën e kalueme” (Tiranë, 1923, 1925), që japin një sintezë të njohurive të asaj kohe. U nda nga jeta në vitin 1945. (Në fotografi: Karl Paç)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1920.
Fotografia: © https://plavaeguciasot.com/carl-patsch-pionier-i-studimeve-ne-fushe-te-kultures-ilire-e-shqiptare/
Përpunim grafik: AHCF




