Në Horën e Arbëreshëve (it. Piana degli Albanesi) afër Palermos u nda nga jeta Pal Skiroi (Paolo Schirò), filolog arbëresh, peshkop i arbëreshëve të Sicilisë me titullin “peshkop i Bendës” (1904). Lindi në Horën e Arbëreshëve në vitin 1866. Studioi në Seminarin Arbëresh të Palermos dhe më pas u bë rektor i këtij seminari, ku ruhej dorëshkrimi i Gjon Nikollë Kazazit me një tekst të kopjuar nga “Meshari” i Buzukut në vitin 1740 dhe me të dhëna për librin. Pal Skiroi e rizbuloi “Mesharin” në vitin 1910 dhe për tridhjetë vjet u mor me studimin e tij dhe me përgatitjen e botimit filologjik të librit. Botoi disa pjesë të kësaj pune në bashkëpunim me Gaetano Petrotën. Është autor i një gramatike të gjuhës shqipe. Ka lënë dorëshkrim kthimin e fjalorit latinisht-shqip të Frang Bardhit në shqip-latinisht. (Në fotografi: Libri “Meshari” i Buzukut.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2359.
Fotografia: © https://www.kultplus.com/tag/meshari/
Përpunim grafik: AHCF




