Në Libohovë (Gjirokastër) lindi Ndreko Rino, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Në vendlindje kreu shkollën qytetëse dhe Liceun Kombëtar (francez) në Korçë. Mori pjesë fillimisht në grupet e rinisë antifashiste. Komandant i njësitit gueril të Libohovës (1941–1943), me themelimin e Brigadës I Sulmuese u caktua komandant i batalionit I të saj (1943–1944), komandant i Brigadës XXIV Sulmuese (1944–1945), komandant i Divizionit II Sulmues e i Divizionit VI Sulmues (1945), në vitet 1946–1947 shef i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit në qarkun e Beratit dhe komandant i Regjimentit në Korçë. Pasi përfundoi studimet (1947–1951) në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë, u emërua drejtor i Kufirit në Ministrinë e Brendshme (1951–1971), më pas shef i Sektorit të Mbrojtjes Civile në Kryeministri (1971–1973) dhe Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (1973–1979). Është dekoruar me urdhra e medalje të luftës e të shërbimit ushtarak. Si shkrimtar (anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), ka botuar libra me temë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe forcat e ruajtjes së kufijve. U nda nga jeta në vitin 1998. (Në fotografi: Ndreko Rino)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2251-2252.
Fotografia: © https://gazetalevizja.com/organizata-deshmoreve-njeqindvjetori-i-lindjes-se-gjeneral-major-ndreko-rinos/
Përpunim grafik: AHCF




