Në fshatin Fterrë të Sarandës lindi Jakup Mato, kritik, estet, studiues i letërsisë dhe i arteve, profesor. Kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës (1959). Ka punuar si specialist i letërsisë, kryeredaktor i gazetës “Mësuesi” dhe drejtor i arteve në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës (1970), drejtor i Institutit të Lartë të Arteve (1987–1992), më pas punonjës shkencor dhe drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve të Akademisë së Shkencave. Ka botuar librat: “Risi të letërsisë shqipe” (1983), “Paradokset e satirës dhe të humorit” (2000), “Poetika e dramaturgjisë dhe mendimit estetik” (2005), si dhe një varg artikujsh kritikë e shkencorë për letërsinë dhe bashkëveprimin e arteve. Në studimet e tij trajtoi një varg problemesh të natyrës estetike dhe të teorisë së letërsisë e të arteve, të lidhura ngushtë me proceset, dukuritë dhe zhvillimet bashkëkohore të arteve shqiptare, sikundër edhe vështrime historike mbi to. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2005. (Në fotografi: Jakup Mato)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1657.
Fotografia: © https://fterraalbania.tripod.com/id11.html
Përpunim grafik: AHCF




