Prenkë Jakova

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta Prenkë Jakova, kompozitor, Artist i Popullit. Lindi në Shkodër, në vitin 1917. Në vendlindje kreu dhe shkollën e mesme. Që në rini mori pjesë në jetën artistike të qytetit si korist, instrumentist, aktor teatri dhe më vonë si drejtues kori, bande muzikore dhe orkestre. Kësaj periudhe i përkasin edhe kompozimet e para. Gjatë viteve 1936–1939 punoi disa kohë si mësues në fshatra të Shkodrës e të Mirditës dhe në vitet 1941–1942 në Katërkollë të Ulqinit e në Ostros të Krajës. Më 1938 kompozoi operetën për fëmijë “Xhuxhmaxhuxhët” (libreti Kolë Jakova) dhe më pas një album këngësh për fëmijë. Në vitin 1943 studioi për klarinetë në akademinë “Santa Cecilia” (Romë). Pas çlirimit punoi në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, ku drejtoi për 30 vjet krijimtarinë muzikore të rrethit. Aty themeloi, më 1962, Festivalin e Këngës për Pionierë, si një veprimtari kombëtare e llojit, që ka ruajtur vazhdimësinë e vet. Pas melodramës “Juda Makabe” (1945), inskenimit “Dasma shkodrane” (1947), veprimit muzikor “Dritë mbi Shqipëri” (1952), kompozoi më 1958 operën “Mrika” (libreti Ll. Siliqi), e para vepër kombëtare e kësaj gjinie. Prenkë Jakova është autor edhe i një opere të dytë, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” (1969, libreti Ll. Siliqi). Si themelues i operës klasike shqiptare, Prenkë Jakova është një ndër përfaqësuesit kryesorë të lirikës vokale me orientim klasik-romantik. Krahas muzikës skenike, ka kompozuar një numër të madh këngësh, midis të cilave janë bërë të njohura “Syrin si qershia”, “Margjelo”, shumë këngë për fëmijë, romanca etj. (Në fotografi: Prenkë Jakova)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1059–1060.

Fotografia: © https://alchetron.com/Prenk%C3%AB-Jakova#prenk-jakova-a4595aad-0c7f-4dfe-842a-05d13fd5721-resize-750.jpeg

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img