Gjatë luftës për çlirimin e Kërçovës (sot në Maqedoninë e Veriut) u vra Hibe Palikuqi, pjesëmarrëse e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Heroinë e Popullit. Lindi në qytetin e Dibrës, në vitin 1927. Që nga viti 1942 shtëpia e saj u bë bazë për ilegalët antifashistë dhe ajo vetë, propagandiste e ideve të luftës çlirimtare. U arrestua së bashku me nënën dhe u burgos (1943). Pasi doli nga burgu, vijoi veprimtarinë antifashiste. Anëtare e Partisë Komuniste Shqiptare më 1944. U rreshtua në batalionin partizan të Dibrës dhe me organizimin e Brigadës XVIII Sulmuese u caktua zv.komisare kompanie (1944). U vra në luftë kundër nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve në vitin 1944. (Në fotografi: Hibe Palikuqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1920.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




