Në Prishtinë u nda nga jeta Muharrem Qena, regjisor, aktor, dramaturg, kantautor. Lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Studioi në Shkollën e Lartë të Filmit (dega e aktrimit filmik) në Beograd, më pas studioi për regji teatri në Akademinë për Film, Radio dhe Teatër po në Beograd. Më 1964 ndoqi në Poloni një specializim disa muajsh për teatër. Krijimtarinë artistike e nisi si aktor dhe si asistentregjisor më 1948, në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës. Me emrin e tij lidhen edhe fillet e punës profesioniste në Teatrin e Mitrovicës dhe në Teatrin e Prizrenit. Në vitet 1954–1956, në Teatrin e Mitrovicës vuri në skenë shfaqjet “Besa”, “Burri i mashtruem”, “Vocrraku im”, “Mërgimtarët”, “Nuk martohem më parë”, “Fejesa” etj. Prej vitit 1977 e tutje realizoi shfaqje në Teatrin Popullor të Gjakovës: “Fisheku në pajë”, “Pjata e drunjtë”, “Vocrraku im” etj. Njihet edhe si aktor filmi (“Kur pranvera vonohet”, “Lepuri me pesë këmbë” etj.), si dramaturg (me dramën “Bashkëshortët”), si regjisor filmash televizivë dhe dokumentarë (1975–1985) në Televizionin e Prishtinës, si autor dramatizimesh e radiodramash, si dhe si kantautor i disa këngëve argëtuese. Kryevepra e tij në teatër është shfaqja “Erveheja” (1966). Shfaqja mori çmime si shfaqja më e mirë në festivalet prestigjioze teatrore të ish-Jugosllavisë. Për punën artistike si aktor dhe regjisor në teatër mori shumë çmime dhe mirënjohje nga institucionet e vendit dhe nga organizatat e ndryshme profesioniste. U nda nga jeta në Mitrovicë, në vitin 1930. (Në fotografi: Muharrem Qena)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1352.
Fotografia: © https://mubi.com/cast/muharrem-qena
Përpunim grafik: AHCF




