Masakra e Mejës

Lexo ngjarje:

Më 27 prill 1999, forcat ushtarako-policore serbe ndërmorën një operacion të gjerë për spastrimin etnik të fshatrave të brezit kufitar me Shqipërinë, me ç’rast krahas djegieve, plaçkitjeve, shkatërrimeve e dëbimeve masive, vranë, masakruan dhe zhdukën të paktën 376 civilë shqiptarë. Operacioni i shifruar “Reka” u ndërmor nga ushtria e Jugosllavisë së mbetur dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, nga njësitet e policisë rajonale të Gjakovës, pjesëtarët e formacioneve paramilitare “Tigrat”, “Beli Orlovi” dhe “Frenkistët”, pastaj nga serbë vendës, vullnetarë rusë etj. Operacioni ishte i komanduar dhe i koordinuar nga ushtria serbe. Këto forca, pasi vunë nën rrethim fshatrat Korenicë, Mejë, Ramoc, Madanaj, Rrypaj, Rracaj, Dallashaj, Sheremet, Pacaj dhe Dobrosh, lanë të hapura për banorët rrugët që shpinin në drejtim të Mejës, ku e drejtuan gjithë popullsinë e kësaj ane, duke krijuar kolona të gjata më se 5 kilometra. Në Mejë ishin ngritur dy pika kontrolli, në të cilat popullsia civile iu nënshtrua keqtrajtimeve, torturave, plaçkitjeve, përdhunimeve, djegies së dokumenteve të identifikimit etj. Civilët nga andej dëboheshin në drejtim të Gjakovës dhe më pas në drejtim të Shqipërisë. Një numër i civilëve shqiptarë u vranë në fillim të operacionit nëpër shtëpitë e tyre, madje edhe u dogjën të gjallë, ndërsa në dy pikat e kontrollit në Mejë forcat serbe paraburgosën 348 meshkuj të moshës 14 deri 86 vjeç, si dhe 3 femra, për fatin e të cilëve për më shumë se katër vjet nuk dihet asgjë. Nga e gjithë zona, më së rëndi e pësoi fshati Korenicë, ku u ekzekutuan 70 banorë, si dhe 32 të zhvendosur nga fshatrat e tjera. Pas përfundimit të luftës, mbetjet mortore të 309 shqiptarëve të ndaluar në Mejë u gjetën në varrezat masive në periferi të Beogradit. Asnjë nga të ndaluarit nuk është liruar dhe nuk ka mbijetuar, kështu që nuk ka dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre. Masakra e Mejës është vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. (Në fotografi: Kompleksi memorial “27 prill” në Mejë, Gjakovë.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1057.

Fotografia: © https://kallxo.com/lajm/masakra-e-mejes-provat-tregojne-se-roli-i-perfshirjes-se-oficereve-serbe-ne-masaker-u-injorua/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img