Dita e Dëshmorëve është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët, pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit. Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri më 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nisën përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas Çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e atdheut. Në vitet ’60 statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “dëshmor i atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Më 1992–1993, me ndërrimin e sistemit politik pësoi ndryshime edhe statusi i dëshmorit të atdheut. Pas miratimit të ligjit nr. 8607 në vitin 2000, u miratua ligji nr. 109/2018 “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997–1999 në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Në 5 maj, Ditën e Dëshmorëve të Kombit, janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje, jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe për të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari. (Në fotografi: Pamje nga Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë,)
Teksti: https://ata.gov.al/2020/05/05/5-maji-dita-e-deshmoreve-te-atdheut/
Fotografia: © Agjencia telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




