U vra në kufi nga policia serbe, gjatë një përpjekjeje për të kaluar në Maqedoni, Fehmi Agani, sociolog, profesor, akademik, veprimtar politik, Hero i Kosovës. Lindi në Gjakovë. Kreu gjimnazin në Prishtinë, ndoqi studimet e larta e u diplomua për filozofi në Universitetin e Beogradit (1959), ku kreu dhe studimet pasuniversitare në shkencat politike (1965). Shërbeu në arsimin e mesëm në Prishtinë e njëkohësisht si ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës (1965), redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës (1967–1970), dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku kreu doktoratën në sociologji (1973). Fehmi Agani ka luajtur rol të rëndësishëm në krijimin, pavarësimin dhe demokratizimin e institucioneve shkencore, kulturore e kombëtare të Kosovës, si Instituti Albanologjik, Universiteti dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Ishte një nga themeluesit e degës së sociologjisë dhe të filozofisë në Universitetin e Prishtinës, i Institutit të Sociologjisë, kryeredaktor i revistave “Studia Humanistica” dhe “Thema”. Nga viti 1968 ka qenë ndër ideologët e projektit për pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi deri në fund të jetës së tij. Në valën e diferencimeve ideopolitike, pas demonstratave të vitit 1981 u përjashtua nga procesi mësimor për qëndrimin e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare (1984). Fehmi Agani qe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës prej themelimit. Ishte ndër negociatorët kryesorë në të gjitha forumet ndërkombëtare ku është diskutuar çështja e Kosovës, që nga Konferenca e Hagës deri te Konferenca e Rambujesë dhe një ndër frymëzuesit dhe përkrahësit më aktivë të qëndresës së armatosur. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s Fehmi Agani qëndroi ilegalisht në Prishtinë nga 24 marsi deri më 6 maj 1999, kur u vra nga policia serbe. Një pjesë e trashëgimisë shkencore të Fehmi Aganit, në vitin 2002 u botua në 8 vëllime: “Në rrjedha të mendimit sociologjik”, “Demokracia, kombi, vetëvendosja”, “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri”, “Gjuha e dhunës dhe zëri i arsyes”, “Pavarësia – gjasa dhe shpresë” etj. (Në fotografi: Fehmi Agani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 14–15.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Fehmi_Agani
Përpunim grafik: AHCF




