Në Romë, u nda nga jeta Fulvio Kordinjano (it. Fulvio Cordignano), studiues italian. Lindi në Mugia të Italisë. Atje studioi letërsi (1908) dhe filozofi (1909–1911). Në vitet 1912–1916, ai dha mësim në Shkodër dhe në vitet 1917–1920, pasi u shugurua prift më 23 dhjetor 1918, ndoqi studimet për teologji në institucionet katolike jashtë vendit. Më 1924 vajti në Shkodër, ku dha mësime filozofie dhe letërsie. Nga viti 1926 deri në vitin 1941, shërbeu si misionar dhe udhëtoi gjerësisht në veri të Shqipërisë. Këto vite i dhanë mundësi për të njohur folklorin dhe zakonet shqiptare. U kthye në Itali më 1942 dhe shërbeu në Padova deri në vitin 1949, në Palermo më 1950 dhe më në fund në Gorizia, më 1951. U nda nga jeta një vit më pas, në Romë. At Kordinjano ishte një studiues dhe mbledhës i pasionuar i folklorit shqiptar; me kalimin e viteve ai ndërtoi një bibliotekë, arkiv dhe muze mbresëlënës. Mbresëlënëse janë botimet e tij në fushën e albanologjisë. Ndër monografitë e tij kryesore janë: “Lingua albanese; grammatica, saggi di letteratura, fraseologia e proverbi” (“Gjuha shqipe: gramatikë, shembuj të letërsisë, frazeologji dhe fjalë të urta”; Milano, 1931); “L’Albania attraverso l’opera e gli scritti di un missionario italiano, il Domenico Pasi S. J. 1847–1914 (“Shqipëria përmes veprave dhe shkrimeve të një misionari italian, Domeniko Pasi S. J. 1847–1914”; Romë, 1933, 1934); “Dizionario albanese-italiano e italiano-albanese” (“Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip”; Milano, 1934); “La poesia epica di confine nell’Albania del Nord, 1–2” (“Poezia epike kufitare e Shqipërisë së Veriut, 1–2”, Venecia, 1943). Ai ishte gjithashtu autor i artikujve të shumtë shkencorë për kulturën veriore shqiptare të botuara në periodikë italianë dhe shqiptarë. (Në fotografi: Ballina e librit “Poezia epike kufitare e Shqipërisë së Veriut, 1–2”.)
Teksti: Robert Elsie, Historical Dictionary of Albania; second edition, “Scarecrow Press” United Kingdom, 2010, faqe 92–93.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




