Në Tiranë, u nda nga jeta Tahir Dizdari, filolog, orientalist i shquar. Lindi në Shkodër, në vitin 1900. Studimet e larta për shkenca politike i kreu në Universitetin e Stambollit, në Turqi 1922–1925. Gjatë viteve 1925–1939 shërbeu në administratën e lartë shtetërore dhe u aktivizua si publicist, kritik e polemist në organe të ndryshme të shtypit të kohës. Gjatë pushtimit fashist, për pikëpamjet e tij nacionaliste, u internua në Itali, 1939–1942. U arrestua më 27 shkurt të vitit 1951 dhe u mbajt për 13 muaj në hetuesi, në lidhje me të ashtuquajturën “bombë në Ambasadën Sovjetike”, por u lirua për mungesë provash. U nxor nga shtëpia e tij private. Në këto kushte ai u shtrëngua të flinte në librarinë e tij, që e kish hapur më 1952. Më 1965 u “pranua” si bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë, sektori i leksikologjisë dhe i leksikografisë. Më 1995, Presidenti i Republikës i dha Urdhrin “Naim Frashëri” i klasit I, me motivacionin “Për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike”. La në dorëshkrim “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe” Tiranë, 2005, “Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre” Tiranë, 2010. (Në fotografi: Tahir Dizdari)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. II, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2013, faqe 162–163.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Përpunim grafik: AHCF




