Në Tiranë, u nda nga jeta Fuat Dibra (1886–1944), veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësinë. Lindi në Dibër. Kreu liceun dhe Shkollën Tregtare të Selanikut. Më 1909, Fuat Dibra ishte organizatori i Kuvendit të Dibrës. Më 1919, kontribuoi për shpenzimet e qëndrimit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për 17 muaj. Ndërkohë, në atë konferencë ishte përfaqësues i Kolonisë Shqiptare të Stambollit. Më 5 prill 1920, së bashku me Pandeli Evangjelin ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, të emëruar nga Këshilli Kombëtar. Pas pushtimit italian të Shqipërisë u emërua ministër i Ekonomisë Kombëtare, më 3 dhjetor 1941, por dha dorëheqjen më 12 janar 1942. Më 18 prill 1942 u emërua anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. Po edhe atë post Fuat Dibra nuk e pranoi dhe nuk bëri betimin, çka solli shkarkimin e tij më 9 qershor 1942. Në nëntor 1942, ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar. Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar, i mbledhur me nxitjen e pushtuesve nazistë e zgjodhi anëtar të Këshillit të Naltë. Për shkak të sëmundjes, Fuat Dibra pothuajse nuk e ushtroi fare atë detyrë. Vdiq në Tiranë, më 26 shkurt, dhe u varros me nderime të posaçme. (Në fotografi: Fuat Dibra)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 473.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Fuat_bej_Dibra
Përpunim grafik: AHCF




