U nda nga jeta Imzot Luigj Bumçi (1872–1994), klerik i lartë, veprimtar politik, anëtar i Këshillit të Lartë të shtetit shqiptar. Lindi në Shkodër, ku kreu vitet e para të shkollimit. Studimet për filozofi e teologji i kreu në Kolegji për Ungjillëzimin e popujve në Romë. Karrierën kishtare e nisi nga fillimi i shekullit XX si meshtar e famullitar. Më 1912, u dorëzua ipeshkëv i dioqezës katolike të Lezhës me qendër në Kallmet, ku jetoi e punoi deri në fund të jetës. Luigj Bumçi u aktivizua edhe në ngjarjet politike të vendit në prag të pavarësisë. Më 1911, mori pjesë në bisedimet e kryengritësve shqiptarë të Mbishkodrës me autoritetet osmane. Në dhjetor 1918, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme që doli nga Kongresi i Durrësit dhe njëkohësisht anëtar i delegacionit të kësaj qeverie për në Konferencën e Paqes në Paris. Nga qershori 1919 deri në shkurt 1920, Luigj Bumçi u caktua kryetar i atij delegacioni. Në Kongresin e Lushnjës (1920) u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë prej 4 vetash, i ngritur për të kryer përkohësisht detyrat e kryetarit të shtetit shqiptar, deri në vitin 1921. (Në fotografi: Imzot Luigj Bumçi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 330–331.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Luigj_Bum%C3%A7i
Përpunim grafik: AHCF




