Luigj Gurakuqi

Lexo ngjarje:

Në Bari të Italisë u vra Luigj Gurakuqi, veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike shqiptare, poet e publicist, Mësues i Popullit, Hero i Popullit. Lindi në Shkodër. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, ndoqi Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh Shën Mitër (Itali). Studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit (1901–1906). Luigj Gurakuqi ka një veprimtari të pasur letrare e publicistike. Lëvroi poezinë lirike dhe prozën e shkurtër. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frangisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës shqipe. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’t’dy dhialektet”, e në Napoli “Fjalorth shqyp-frangisht e frangisht-shqyp i fjalëve t’reja”. Pas vitit 1906, Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike e luftës për çlirim kombëtar. Shkroi artikuj në organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Në verën e vitit 1907, bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në Veri. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Në dhjetor 1909, u caktua drejtor i shkollës “Normale”, që u hap në Elbasan. Më 1911, mori pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës dhe, si një nga udhëheqësit e saj, hartoi së bashku me Ismail Qemalin Memorandumin e Greçës (1911). Më 1912, zhvilloi veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë (1912). Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit. U caktua ministër i Arsimit (dhjetor 1912) në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (1912) dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe konjunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit (1918), u zgjodh ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme dhe anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921–1924 ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, ku luftoi për demokratizimin e jetës së vendit. Si anëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, mori pjesë gjallërisht në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924, duke qenë një nga udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua ministër i Financave. Pas shtypjes së Revolucionit mërgoi në Itali. Në nëntor 1957 eshtrat e tij u sollën në atdhe dhe u rivarrosën në Shkodër. (Në fotografi: Luigj Gurakuqi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 798–799.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img