Më 24 prill 1877, Perandoria Ruse i shpalli luftë Turqisë. Serbia, e cila ndërkohë kishte nënshkruar paqen me Stambollin, qëndroi mënjanë. Mali i Zi, i cili nuk kishte pranuar as të nënshkruante paqen, u bashkua me Rusinë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për të gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe për të gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik. Kudo sundonte bindja se kjo luftë do të përfundonte me disfatën e Portës së Lartë. Të gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje për të plotësuar në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe, ca më shumë, për të përmbushur aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të tjera të gadishullit. Për çështjen shqiptare, fillimi i luftës ruso-turke krijoi një gjendje më të ndërlikuar se ajo që ishte më parë. Në rast se luftën do ta fitonte Rusia, Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial dhe, për pasojë, vdekja e saj politike. Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me të. (Në fotografi: Regjimenti i Gardës Ruse qëndron pranë vijës hekurudhore për në Edrene.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 139–144.
Fotografia: © Ivanov A.D., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




