Në Zagreb u nda nga jeta Aleksandër Stipçeviç, historian i antikitetit, ilirolog, akademik. Lindi në një familje shqiptare në Arbnesh të Zarës, në vitin 1930. Kreu shkollën e mesme në vendlindje, ndoqi studimet e larta për arkeologji dhe u diplomua në Universitetin e Zagrebit (1954). Në vitin 1957 filloi punën në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Zagrebit. Në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, pedagog i arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës. Drejtor i Bibliotekës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë në Zagreb (1974-1983). Aleksandër Stipçeviç ka qenë anëtar i redaksisë se revistës “Gjurmime albanologjike” për 15 vjet. Pasi kreu doktoratën (1977), një vit më pas fitoi titujt: “Këshilltar i lartë në bibliotekari” dhe “Këshilltar shkencor në fushën e shkencave shoqërore”. Aleksandër Stipçeviç u bë profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik (katedra e bibliotekarisë) të Universitetit të Zagrebit. Është autor i shumë studimeve në fushën e ilirologjisë, si: “Gli Illiri”, 1967 (“Ilirët”); “Arte degli Illiri”, 1967 (“Arti i Ilirëve”); “Bibliographia Illyrica”, 1967 (“Bibliografi për Ilirët”); “Kultni simboli kod Ilira”, 1983 (“Simbolet e kultit te llirët”); “Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualizimi i tij politik sot” etj., si dhe në fushën e albanologjisë: “Interpretime albanologjike”, “Etnogjeneza e shqiptarëve”, “Albanologjia në Kroaci” etj.; gjithashtu ka botuar monografinë “Historia e librit” (1988) dhe një varg artikujsh shkencorë. Ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. (Në fotografi: Aleksandër Stipçeviç)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2399.
Fotografia: © https://diasporashqiptare.al/
Përpunim grafik: AHF




