Në Vlorë u nda nga jeta at Pjetër Mëshkalla, klerik katolik. Lindi në Shkodër, në vitin 1901. Mësimet fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse të lartat në Linc (Austri), në Goricë të Sllovenisë dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli (Itali). Më 1931 u shugurua meshtar i Shoqërisë së Jezuit në Shkodër dhe dha letërsi, gjuhë shqipe e filozofi në Seminarin Papnor. Më 1934 themeloi rrethin “Shën Gjon Bosco” për edukimin e rinisë, dhe vazhdoi në Tiranë (më 1937) me rrethin e “Shën Pjetrit”. Në vitin 1945, regjimi komunist i kërkoi bashkëpunim. Por ai, jo vetëm që nuk pranoi, por në ceremoninë e mbajtur me rastin e vdekjes së Luigj Bumçit, demaskoi hapur regjimin. Për ketë arsye, më 1946 u arrestua. Pas një hetuesie të gjatë, më 18 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Granizonit të Tiranës, e dënoi me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave për pesë vjet, si një nga themeluesit e organizatës “Bashkimi Kombëtar” dhe për agjitacion e propagandë. Dënimin e vuajti në disa kampe pune dhe në burgun e Burrelit, prej ku u lirua më 1961, por pa të drejtën e shërbimit si meshtar. Kur në Shkodër po zhvillohej “Revolucioni kulturor”, ai i dërgoi një letër Mehmet Shehut, ku në fund i shkruante: “Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit”. Ndaj, më 29 prill 1967, në Institutin Pedagogjik të Shkodrës u organizua një mbledhje për “demaskimin” e veprimtarisë së tij. Dhe më 19 korrik të po atij viti, me vendim nr. 44, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë për “agjitacion e propagandë”. Pas lirimit më 1978, u internua në kampin e Vlorës. Është kleriku i parë që u dekorua, më 1992, “Pishtar i Demokracisë”. (Në fotografi: Pjetër Mëshkalla)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “WestPrint”, Tiranë, 2016, faqe 338.
Fotografia: © https://albemigrant2011.wordpress.com/2022/09/09/ate-pjeter-meshkalla-sj-1901-1988/
Përpunim grafik: AHCF




