At Zef Pllumi

Lexo ngjarje:

Në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin lindi at Zef Pllumi, meshtar françeskan, shkrimtar. Lindi në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5-vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943–1944 bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” dhe u zgjodh sekretar personal i at Anton Harapit. Ishte 22 vjeç, kur, më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se nga ai mund të nxirrnin informata. Dënim e vuajti në “Burgun e madh” të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949–1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë me at Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si: në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll e Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxori revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”. Në vitin 2006, Presidenti i Republikës e dekoroi me urdhrin “Nderi i Kombit”. Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar “Penda e Artë”, e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”. U nda nga jeta në shtator 2007 dhe u varros në Shkodër. (Në fotografi: Zef Pllumi)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “WestPrint”, Tiranë, 2017, faqe 333–334.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Zef_Pllumi

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img