Bill Klinton

Lexo ngjarje:

Në Hope (Arkansas) lindi Bill Klinton (William Jefferson Clinton), President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Hot Springs, kurse studimet për drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhtaunit në Uashington, në Oksford të Londrës dhe Universitetin e Jelit në Nju-Hejvën, Konektikat. Në vitin 1977 emërohet Prokuror i Përgjithshëm i shtetit të Arkansasit, ndërsa më 1978 u zgjodh Guvernator i Shtetit të Arkansasit, post që e mbajti deri në vitin 1992. Më 1992 dhe 1996, dy herë radhazi, fitoi zgjedhjet presidenciale, si kandidat i Partisë Demokratike. Bill Klinton veproi me vendosmëri kundër politikës luftënxitëse që ndoqi ish-Jugosllavia nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, që nga mesi i viteve ’90 të shekullit XX. Në vitin 1995, në bashkëpunim me NATO-n, ndërhyri për t’i dhënë fund luftës agresive të Beogradit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në fillim të vitit 1999, B. Klinton luajti rol vendimtar në organizimin e veprimeve ushtarake të NATO-s (Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior) në Jugosllavi. U angazhua që përmes operacioneve të Forcave Aleate t’i jepte fund pastrimit etnik dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Pas një fushate ushtarake prej 78 ditësh, më 10 qershor 1999, forcat ushtarake serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova dhe u krijuan kushtet për vendosjen e misionit paqësor të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili vepronte në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Edhe pas largimit nga presidenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Klinton e përkrahu popullin dhe institucionet e Kosovës për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të pavarur. Në shenjë mirënjohje për angazhimin e tij në dobi të Pavarësisë së Kosovës, shumë rrugë e bulevarde janë emëruar me emrin e tij, kurse në Prishtinë i është ngritë shtatorja në bulevardin që mban emrin e tij, ndërsa Universiteti i Prishtinës i dha titullin “Doctor Honoris Causa”. (Në fotografi: Bill Klinton)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 798–799.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Bill_Klinton

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img