Dedë Gjo Luli

Lexo ngjarje:

Në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë) u vra Dedë Gjo Luli, prijës popullor i Malësisë së Mbishkodrës dhe luftëtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Hero i Popullit. Lindi në Traboin të Hotit (sot në Malin e Zi), në vitin 1840. U dallua në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për mbrojtjen e Hotit e të Grudës (1880), që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi. Në vitet e fundit të shekullit XIX, Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës, që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës (1899). Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes kundërosmane të vitit 1911. Nën udhëheqjen e tij, malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta. Në bashkëpunim me qarqet atdhetare, në Memorandumin e Greçës (1911) ata parashtruan kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Dedë Gjo Luli i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë (1912), për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike e nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), Dedë Gjo Lulit iu desh, megjithëse në moshë të thyer, të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Më 1915 forcat serbo-malazeze, me ndihmën e bashkëpunëtorëve esadistë, e shtinë në dorë pabesisht dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë). (Në fotografi: Dedë Gjo Luli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1570-1571.

Fotografia: © https://www.dedgjoluli.org/index.html

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img