Në Tiranë, u nda nga jeta Ethem bej Vlora, djali i Ismail Qemal bej Vlorës, themeluesit të Shtetit Shqiptar. Lindi në Stamboll, më 1884, ku kreu dhe mësimet fillore, ndërsa më pas studioi në qytete të ndryshme të Evropës, si Lozanë, Paris e Bruksel. Në tetor 1912, përpara se Ismail Qemali të nisej për Bukuresht për të filluar udhëtimin drejt Pavarësisë, Ethemi u nis për në Vlorë dhe mori pjesë në Komisionin përgatitor për Shpalljen e Pavarësisë, duke qenë koordinator i këtij Komisioni me Ismail Qemalin. Mori pjesë në delegacionin e Qeverisë së Vlorës, kryesuar nga Ismail Qemali, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Më 1914, pas dorëheqjes së Ismail Qemalit nga qeveria, u largua nga Shqipëria, së bashku me të atin. Në dhjetor 1918, qeveria italiane e ftoi Ismail Qemalin në Romë, për të bashkërenduar veprimet mbi të ardhmen e Shqipërisë. Nga Spanja, ku ndodhej me familjen, Ismail Qemali, shoqëruar nga dy djem të tij, Ethemi dhe Qazimi, u nis për Itali. Pas vdekjes së Ismail Qemalit, Ethem bej Vlora u zgjodh nga shqiptarët e Amerikës, të grumbulluar rreth “Partisë Politike”, delegat në Konferencën e Paqes, në Paris, midis emrave të dëgjuar, si Hasan Prishtina, Aqif pashë Elbasani, Pandeli Cale, Mithat Frashëri, Ali bej Klisyra, Nuredin bej Vlora, etj.. Më pas u vendos në Tiranë dhe nuk u mor me politikë. Më 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, ku u zhvillua edhe ceremonia e zhvendosjes së eshtrave të Ismail Qemalit, nga Kanina në Vlorë, gjatë ceremonisë Ethemi dorëzoi flamurin dykrenor që u ngrit në Vlorë, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Ethem bej Vlora u martua me Ismete Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë. Krejt papritur, Ethem bej Vlora u nda nga jeta në spitalin “Zog I”, në Tiranë. (Në fotografi: Ethem bej Vlora)
Teksti: https://diasporashqiptare.al/
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Et%27hem_bej_Vlora
Përpunim grafik: AHCF




