Formimi i Brigadës IV Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Lexo ngjarje:

Në Voskopojë të Korçës u formua Brigada IV Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua me efektivin e batalionit “Shqiponja”, me partizanë të ardhur nga batalionet “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, “Tomori”, “Reshit Çollaku”, “Gorë-Opar”, si dhe me vullnetarë të rinj nga qyteti dhe fshatrat e Korçës. Në fillim kishte 550 veta, të ndarë në katër batalione; në prag të çlirimit efektivi arriti në rreth 2000 veta, të ndarë në 5 batalione me nga 4 kompani. Radhët e saj u shtuan me vullnetarë nga qarku i Korçës dhe nga krahinat ku kreu luftime: rreth 400 nga krahina e Dibrës, antifashistë italianë dhe armenë që dezertuan nga ushtria gjermane. Brigada IV Sulmuese zhvilloi luftime në krahina të ndryshme të Korçës, Beratit, Elbasanit, Dibrës, Shkodrës, Durrësit e Tiranës. Që në krijim përballoi mësymjen e përgjithshme armike të dimrit 1943–1944, çau rrethimin në Opar, doli në Skrapar, prej nga kundërsulmoi armikun në shpinë dhe çliroi zonat e pushtuara, duke lehtësuar përballimin e operacionit nga repartet e tjera partizane në jug të vendit. Zhvilloi luftime të suksesshme gjatë Kundërmësymjes e Mësymjes Pranverore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në krahinat Opar, Gorë, Tomorricë, Kolonjë, Mokër dhe Rrëzë e Fushë e Korçës. Bashkë me forca të Brigadës I Sulmuese dhe forcat territoriale, në prill 1944 çliroi Pogradecin dhe theu operacionin armik “Dolchstoss” (“Goditje me kamë në shpinë”), që synonte zonat e çliruara të Korçës. Në mësymjen e përgjithshme armike të qershorit 1944 zhvilloi luftime të ashpra në Golik, Grabovicë, Gurin e Kamjes, Moçan, Krosnisht, Luginën e Lozhanit, Malin e Dusharit, Qafën e Gjarprit etj. Në maj 1944 u rreshtua në përbërje të Divizionit I Sulmues dhe luftoi për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në Qarrishtë, Zerqan, Klos, Burgajet, Lis, Kurdari, Fushë-Alie, Melan, Grevë, Dibër të Madhe, Lurë dhe në rrethinat e Elbasanit. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës (1944) zhvilloi luftime në Qafë-Kërrabë, në rrugën Peqin-Rrogozhinë, në Petrelë, Shijak, Xhafzotaj, Kashar, Prezë dhe në rajonin tepër të fortifikuar të Tiranës: Kodra e Kopilit-Pallati Mbretëror-Kisha e Shën Prokopit-Kazermat e “Ali Rizait”-Tirana e Re-Sheshi i Ministrive-Banka Kombëtare, dhe luajti rol të rëndësishëm në betejën e Mushqetasë (1944). Pas çlirimit u rreshtua në Divizionin IV Sulmues dhe mori pjesë në veprimet luftarake për vendosjen e pushtetit të ri në qarkun e Shkodrës dhe në Durrës për ruajtjen e kufirit detare të portit. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës IV Sulmuese, 1944.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 298–299.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img