Në Mainz (Gjermani) lindi Franc Bop (Franz Bopp), gjuhëtar gjerman, albanolog, themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në Universitetin e Berlinit. Studioi në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane edhe gjuhën shqipe. Që më 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre. Më 1854 botoi studimin “Über das Albanesische in seinen verwandt-schaftlichen Beziehungen” (“Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”), ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Franc Bop zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Franc Bop qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. (Në fotografi: Franc Bop)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 279.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Franz_Bopp
Përpunim grafik: AHCF




