Lindi në Kashar të Tiranës Halil Kamberi, skenarist dhe regjisor i filmit dokumentar. Pasi mbaroi studimet për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, më 1969 u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” si redaktor në sektorin e filmit kronikal dhe dokumentar. Në vitet 1976–1981 ka drejtuar redaksinë e filmave duke dhënë një ndihmesë të ndjeshme në organizimin e punës krijuese të redaktorë-skenaristëve në një periudhë të rëndësishme të rritjes sasiore dhe cilësore të tri llojeve të filmit kinematografik. Pas vitit 1981 iu kushtua tërësisht krijimtarisë. Më 1992 kalon në Radio Televizionin Shqiptar si regjisor-skenarist. Në të dy institucionet ka një prodhimtari të gjerë me tematikë të larmishme, por ka parapëlqyer temën historike dhe filmat kushtuar figurave të shquara të kombit. Tematika e Halil Kamberit varion nga filma ekologjikë në filma shkencorë. I kushton vëmendje strukturës së tregimit, përgjithësisht me një prolog tërheqës, një zhvillim me thyerje dhe një epilog të shkurtër. Operon nëpërmjet detajit, elipsit dhe metaforave. Në krijimtarinë e tij ka jo pak filma që tingëllojnë si një poezi e vërtetë, çka realizohet përmes një raporti të veçantë figurë-muzikë-tekst apo edhe thjesht figurë-muzikë. Disa nga filmat e tij janë shfaqur në festivale ndërkombëtare të Budapestit, Berlinit e Krakovit. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I. (Në fotografi: Halil Kamberi)
Teksti: Kristaq Dhamo
Fotografia: © https://digital.library.ucla.edu/catalog/ark:/21198/z1q85fgq
Përpunim grafik: AHCF




