U ekzekutua me pushkatim Kadri Hazbiu, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, drejtues i formacioneve partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, gjenerallejtënant, funksionar i lartë i shtetit dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë. Lindi në Mavrovë (Vlorë), në vitin 1922. Në vendlindje kreu arsimin fillor. Vijoi studimet në Shkollën e Mesme Tregtare në Vlorë. Për veprimtari antifashiste, u përjashtua nga shkolla. Në vitin 1942 u rreshtua në formacionet partizane të qarkut të Vlorës, fillimisht në përbërje të çetës “Plakë”. Me krijimin e Brigadës V Sulmuese, u caktua komandant batalioni. Mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigada deri në Kosovë. Më 1945 u emërua shefi i Sigurimit të Ushtrisë (me gradën kolonel). Pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Lartë të Sigurimit në Bashkimin Sovjetik u emërua zv.ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme (1949–1954), ku drejtoi veprimet për eliminimin e grupeve të armatosura armiqësore ndaj regjimit në fuqi. Në vitet 1954–1979 qe ministër i Punëve të Brendshme dhe më pas ministër i Mbrojtjes (1979–1982). Anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë që nga Kongresi II (1952) dhe kandidat i Byrosë Politike në Kongresin V (1966) e anëtar në Kongresin VI (1971). Më 1982, në kuadrin e represioneve të ndërmarra në ushtri, u shkarkua nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, u përjashtua nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe u arrestua. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në vitin 1983. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Është dekoruar me urdhra e medalje të luftës e të shërbimit ushtarak. (Në fotografi: Kadri Hazbiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 898.
Fotografia: © http://gazetashqiptare.al/2022/03/28/
Përpunim grafik: AHCF




