Në Shkodër lindi Kolë Kamsi, mësues i gjuhës dhe letërsisë, mbledhës e studiues i folklorit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, Mësues i Popullit. Studimet i kreu në vendlindje dhe më vonë në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën-Mitër (Kalabri). Shërbeu në arsim: në Vlorë, mësues e drejtor shkolle (1915–1916); në Shkodër, mësues në shkollën qytetëse të Françeskanëve (1921); në Gjimnazin e Shtetit (1922–1923) dhe drejtor i shkollës fillore “Teuta” (1924); në Korçë, drejtor i Kursit Pedagogjik (1925). Qe nismëtar dhe drejtor i parë i Shkollës Tregtare të Ujit të Ftohtë në Vlorë (1926–1927); drejtor i Institutit Femnuer “Donika Kastrioti” në Shkodër (1936), i Institutit Femnuer të Tiranës (1939) dhe i Gjimnazit të Shtetit në Shkodër (1942–1946). Mori pjesë në Kongresin I të Arsimtarëve në Lushnjë (1920) dhe në Kongresin II të Arsimtarëve në Tiranë (1922). Ishte anëtar i rregullt i Institutit të Studimeve Shqiptare (1940) dhe i Institutit Shqiptar për Studime e Arte (1944). Ishte kandidat i Institutit të Shkencave (1948). Në vitet 1947–1957 ishte mesues në gjimnazin dhe në shkollën pedagogjike të Shkodrës. Me themelimin e Institutit Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodres filloi punën atje si pedagog (1957). Për më se një gjysmë shekulli (1907–1960) dha ndihmesën e tij me studime në fushën e shkencave albanologjike. Shkroi një varg artikujsh për arbëreshet e Italisë, kryesisht te revista “Leka” në vitet 1934–1944, që janë përmbledhur në vëllimin “Shqiptarët e Italisë” (2008). Ishte bashkëredaktor në tekstet shkollore “Shkollë e jetë” (1935): “Te praku i jetës” (1940), “Rreze drite” (1941), “Bota shqiptare” (1943) etj. Punoi gjithë jetën për një “Fjalor arbërisht-shqip”, i cili u botua pas vdekjes (2000). U nda nga jeta në vitin 1960. Eshtë dekoruar me Urdhrin e Flamurit. (Në fotografi: Kolë Kamsi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1103.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kol%C3%AB_Kamsi
Përpunim grafik: AHCF




