Lidhja e dytë e Prizrenit

Lexo ngjarje:

U mblodh “Lidhja e dytë e Prizrenit” (1943–1944), organizatë politike e ushtarake, që u krijua në Kosovë për të luftuar për ruajtjen e tërësisë së trojeve etnike shqiptare nga rreziku i copëtimit dhe kundër hyrjes në Kosovë të formacioneve çetnike e të reparteve partizane serbe, malazeze e maqedonase. Ndryshe nga lëvizja nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët, do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë. Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste e konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes se një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane. Kuvendi u mblodh në Prizren. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17–21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejani, pasi Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi dhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptarëve të Kosovës. (Në fotografi: Pjesëmarrës në Lidhjen e dytë të Prizrenit, 1943.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2009, faqe 138-139.

Fotografia: © https://www.koha.mk/tradhtia-e-madhe-tragjedia-pas-lidhjes-se-dyte-te-prizrenit-2/

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img