Në Vlorë u nda nga jeta Liza Laska, aktore, Artiste e merituar. Lindi në Vlorë, në vitin 1926. Qysh në rini u dallua për talentin e saj. Në Korçë, ishte aktore themeluese e teatrit profesionist të këtij qyteti, duke luajtur role kryesore, gjer më 1962. Nga ky vit ajo u bë nga aktoret e para që formuan trupën e Teatrit Profesionist të Vlorës. Punoi aty derisa doli në pension. Ka spikatur posaçërisht në rolet e nënave epike, që vuajnë e pësojnë halle e humbje të mëdha tragjike për bijtë e tyre të rënë për liri; po kështu, gra të vuajtura e fatkeqe, që durojnë me stoicizëm pasojat e një jete nën dhunë; gra të emancipuara apo nëna e gjyshe të dashura. Përveç roleve kryesore, Liza Laska ka mishëruar me mjeshtëri edhe një sërë rolesh të dyta dhe episodike, duke gjurmuar tipa e karaktere jetësore me një origjinalitet të spikatur. Loja e saj shquhej për vërtetësi, realizëm të thellë, forcë e pështjellim emocional, për dramacitet e tragjizëm; herë-herë ajo përshkohej edhe nga tonet lirike e poetike, ku binin në sy finesa e sjelljeve dhe brishtësia e ndjenjave. Zotëronte një zë të ngrohtë, të butë, melodioz, me një tingëllim e intonacion të pastër të së folmes labe. Krahas roleve në teatër, Liza Laska ka interpretuar edhe 13 role të ndryshme në kinematografi, si nëna te “Shtigje lufte” (1974), Mara te “Dimri i fundit” (1976), me të cilin ka fituar Medaljonin e Festivalit; pastruesja te “Lulëkuqe mbi mure”, 1976; nëna e Belulit te “Guna mbi tela”, 1977; Evgjenia te “Në prag të lirisë”, 1981; nëna te “Vendimi”, 1984; hallë Sofia te “Gurët e shtëpisë sime”, 1985; shoqja e Bonit te “Vdekja e burrit”, 1992 etj. (Në fotografi: Liza Laska)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/
Përpunim grafik: AHF




