Në rrethin e Vlorës u zhvillua “Lufta e Drashovicës”, beteja e parë ballore e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe e forcave vullnetare territoriale kundër pushtuesve gjermanë. Shtabi i Zonës I Operative, që drejtoi dhe udhëhoqi veprimet luftarake, vendosi që të sulmohej garnizoni i fortë gjerman, i cili ishte vendosur në fushën e Drashovicës e të Mavrovës; të çlironte 6000 ushtarët e oficerët italianë të çarmatosur nga gjermanët dhe të mbyllur në kampin e përqendrimit të Mavrovës, si dhe të merrej ose të shkatërrohej materiali luftarak i armikut. Sulmi filloi në datën 15 shtator, pasi u bë një përgatitje e shkurtër artilerie. Batalionet partizane “Ismail Qemali” e “Halim Xhelo” sulmuan forcat armike në rajonin e fortifikuar të kazermave, te ura e Drashovicës, ndërsa batalionet vullnetare territoriale sulmuan forcat armike në fushën e Mavrovës. Në mëngjes, forcat armike ishin afër asgjësimit të plotë, por atyre u erdhën në ndihmë rreth dy batalione të shoqëruara me mjete të blinduara nga drejtimi i Vlorës dhe më pas një forcë tjetër nga Tepelena, të cilat mundën të bashkoheshin me forcat armike që luftonin në rrethim. Për dy-tri ditë forcat partizane zhvilluan luftime të ashpra për të thyer operacionin armik. Përballë forcave të shumta armike Shtabi Operativ urdhëroi tërheqjen e forcave partizane në malet e Çikës, si dhe kthimin e forcave vullnetare territoriale në rajonet e tyre. Në këto luftime, që zgjatën mbi 20 ditë, armiku pati mbi 200 të vrarë e robër, përveç të plagosurve. Nga forcat partizane e territoriale ranë në fushën e luftës 20 partizanë dhe mbi 50 u plagosën. 15 shtatori festohet si një nga datat më të shënuara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në rrethin e Vlorës. (Në fotografi: Përkujtimore kushtuar “Luftës së Drashovicës”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1545.
Fotografia: © https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Drashovic%C3%AB,_Selenic%C3%AB,_Albania_2019_03_%E2%80%93_War_memorial.jpg
Përpunim grafik: AHCF




