U zhvillua “Lufta e Vithkuqit”, veprimi i parë luftarak në të cilin mori pjesë Brigada I Sulmuese, formacioni më i madh luftarak i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare deri atëherë. Pushtuesit italianë synonin të shkatërronin Brigadën I Sulmuese dhe forcat partizane të qarkut të Korçës, që vepronin në zonën e Vithkuqit. Ata hodhën në luftim forca të shumta të divizionit “Arezzo”, shumë mjete dhe teknikë luftarake. Veprimet e italianëve i mbështeti edhe një repart gjerman i artilerisë së rëndë. Në mbrojtje të Vithkuqit qenë vendosur forcat e Brigadës I Sulmuese dhe të batalioneve të qarkut të Korçës “Tomori” e “Qamil Panariti”, si dhe çeta partizane e Vithkuqit, gjithsej rreth 1100 luftëtarë. Luftimet nisën në mëngjesin e 26 gushtit. Nëpërmjet një mbrojtjeje të manovrueshme, partizanët i detyruan forcat italiane të largoheshin nga zona e Vithkuqit, pa i realizuar dot synimet. (Në fotografi: Pamje nga Vithkuqi.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1553.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Vithkuqi
Përpunim grafik: AHF




