Masakra ndodhi më 22 dhe 24 maj 1999, me ç’rast u ekzekutuan afro 170 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Fillimisht, në vitin 1998, me një vendim të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, nga burgu i Dubravës u larguan të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët u transferuan në burgjet në territorin e Serbisë, ndërsa burgu i Dubravës u shndërrua në kazermë të armatës serbe. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, Serbia sërish e mbushi burgun me të burgosur shqiptarë të transferuar nga burgjet e tjera të Kosovës, me civilë të kapur gjatë operacioneve luftarake, apo me të burgosur politikë, të cilët serish u kthyen nga Serbia në Kosovë. Numri i të burgosurve kishte arritur rreth 950 veta, të cilët jetonin në kushte të rënda dhe keqtrajtoheshin vazhdimisht. Autoritetet ushtarake dhe policore serbe i kishin grumbulluar të burgosurit shqiptarë për t’i përdorur si mburojë njerëzore nga sulmet e NATO-s, e cila e kishte shënjuar burgun e Dubravës si cak të sulmeve të saj. Aeroplanët e NATO-s goditën burgun më 19 dhe 21 maj. Nga sulmi i dytë mbeten të vrarë rreth 20 të burgosur shqiptarë. Në këto rrethana, të burgosurit bënë përpjekje t’u dërgonin sinjal avionëve të NATO-s, duke shkruar në oborrin e burgut me materiale të ndryshme fjalën anglisht “Help!” (Ndihmë!), me shpresën se pilotët e NATO-s do ta identifikonin këtë sinjal. Por në mëngjesin e 22 majit 1999 autoritetet serbe të burgut vunë në veprim planin për ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë. Së pari, u bë grumbullimi i gardianëve të burgut, pastaj armatosja edhe e të burgosurve serbë dhe, së fundi, rreshtimi i të burgosurve në oborrin e burgut, me pretekstin se do të transferoheshin në burgun e Nishit. Aty filluan të shtënat e armëve nga karakolli i pjesës perëndimorë të burgut dhe nga pjesët e tjera mbi murin e lartë të burgut. Ekzekutimi i shqiptarëve vazhdoi edhe më 23 maj, ku nga pozicione të ndryshme serbët e armatosur dhe të maskuar qëllonin pa ndërprerje. Sipas dëshmitarëve që mbijetuan këtë masakër, forcat serbe ekzekutuan rreth 170 të burgosur shqiptarë dhe plagosën afro 300 të tjerë. (Në fotografi: Pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve brenda burgut të Dubravës.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1053–1054.
Fotografia: © https://www.epokaere.com/historiku-i-burgut-te-dubraves-burgu-i-tmerrit-dhe-i-ferrit-katerditor/
Përpunim grafik: AHCF




