Në fshatin Irzniq të komunës së Deçanit lindi Maxhun Çekaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Kreu shkollimin në Irzniq, në Prishtinë dhe në Gjakovë. Gjatë shërbimit ushtarak në Maribor të Sllovenisë kreu edhe shkollën për oficer rezervë, ndërsa më vonë kreu Fakultetin e Mbrojtjes dhe të Sigurisë në Beograd. Nga viti 1962 deri më 1998 punoi në arsim. Me fillimin e luftës në Dukagjin, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U emërua komandant i shtabit lokal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Irzniqin. Për disa muaj Irzniqi ishte një ndër bazat e rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Dukagjinit, ku ishte i vendosur spitali ushtarak dhe shumë të zhvendosur nga zonat e luftës. Ishte edhe përgjegjës i vijës së frontit në Gerdaja (ndërmjet Prilepit e Carrabregut). Më 1998, bashkë me 50–60 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bëri ballë sulmeve të forcave serbe. Pas 12 orë luftimesh të rrepta, Maxhun Çekaj ra heroikisht. (Në fotografi: Maxhun Çekaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 271.
Fotografia: © https://www.facebook.com/356407694529888/posts/1383017128535601/
Përpunim grafik: AHCF




