Në Korçë lindi Mihal Luarasi, regjisor, kritik i teatrit, Artist i Popullit. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe ndoqi studimet e larta për regjisor në Akademinë e Teatrit dhe Filmit të Budapestit (1952–1956), ku u diplomua më 1958. Punoi si regjisor në Teatrin Popullor (1956–1958; 1961–1966), në Estradën e Shtetit (1958–1961). pedagog i jashtëm i aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve (1959–1966; 1971–1973), në teatrin “Andan Zako Çajupi” të Korçës (1966–1971), në Radio Televizionin Shqiptar (1972–1973) etj. Pas kritikave që iu bënë për pikëpamje liberale në art si regjisori i Festivalit XI të Këngës në Radio Televizion (1972), u pushua nga puna (mars 1973). U arrestua në dhjetor 1973 dhe u dënua me 8 vjet burgim. Pas lirimit (1979) punoi si punëtor deri në vitin 1989, kur doli në pension. Nga viti 1990 ka qëndruar disa vjet në Hungari. Mihal Luarasi ka vënë në skenë një varg veprash të letërsisë sonë e të huaj, si: “Intrigë e dashuri” (Shiler, 1956), “Dy zotërinj nga Verona” (Shekspir, 1959); “Dhelpra dhe rrushtë” (Figueredo, 1961) etj. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe me vënien origjinale në skenë të disa operave të repertorit klasik, si: “Traviata”, “Karmen”, të operave shqiptare “Pranvera” (Tish Daia) dhe “Përtej mjegullës” (Pjetër Gaci). Si regjisor, Mihal Luarasi e trajton pjesën në funksion të ideve dhe figurave të menduara me kujdes, parapëlqen vizatimet sa më të përpikta të tablove të jetës, ku ndjenja rrjedh nga një qëndrim i caktuar ideor. Ka shkruar disa drama, si “Gomone” (2002) dhe librin me ese “Teatri Kombëtar në udhëkryq” (2003) etj. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2017. (Në fotografi: Mihal Luarasi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1539.
Fotografia: © https://alva.al/regjisor-dhe-dramaturg-i-njohur-mihal-luarasi/
Përpunim grafik: AHCF




