U nda nga jeta Muhamet Tërnava, historian, profesor universiteti. Lindi në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, në vitin 1947. Mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prishtinë. Studimet për histori i kreu në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ndërkaq studimet pasuniversitare i kreu në Zarë të Kroacisë, ku mbrojti tezën e doktoratës “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV–XVI”. Për këtë studim bëri vjelje dokumentesh nëpër shumë arkiva dhe biblioteka, si të Parisit, Sorbonës, Beogradit, Shkupit, Tiranës e Prishtinës, Zarës, Dubrovnikut etj. Një kohë të shkurtër (1971–1972) punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe më pas, për afro dhjetë vjet, punoi në degën e historisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1982 u burgos dhe u dënua për shkaqe politike dhe, pas vuajtjes së dënimit, nuk u lejua të kthehej në Universitet deri në vitin 1995. Po në këtë vit u botua edhe disertacioni i tij nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ndërkohë, Muhamet Tërnava mori pjesë në tubime të ndryshme shkencore dhe botoi një sërë punimesh në revista të vendit dhe të huaja. Studimet e tij nga historia mesjetare u botuan në përmbledhjen me titull “Studime për mesjetën” (1995), ku janë përfshirë tekste me interes shkencor, si “Shqiptarët në feudin e Deçanit”, “Migrimet e popullsisë në territorin e sotëm të Kosovës gjatë shekujve XIV–XVI”, “Shqiptarët në qytetet e Kosovës në shekujt XV–XVI”, “Përhapja e islamizmit në territorin e sotëm të Kosovës deri në fund të shekullit XVII”, “Prizreni gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI” etj., ndërsa më vonë botoi edhe monografinë “Kaçaniku me rrethinë deri në Luftën e Dytë Botërore” (1995). (Në fotografi: Muhamet Tërnava)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1660–1661.
Fotografia: © https://www.voal.ch/tag/muhamet-ternava/
Përpunim grafik: AHCF




