Lindi në Korçë Natasha Lako, poete dhe skenariste. Pas diplomimit si gazetare në Universitetin e Tiranës, më 1971 u emërua në revistën “Shqiptarja e Re”, ndërsa më 1976 filloi të punojë në Kinostudion “Shqipëria e Re” si redaktore-skenariste. Në moshën 16 vjeçe boton vjershat e para në gazetën “Drita”. Poezi të saj janë përkthyer e botuar në Francë, Holandë, Suedi, Gjermani, Amerikë, Itali, Greqi etj. Si skenariste filloi me një nga filmat më me emër të kinemasë sonë “Mësonjtorja” (1979, regjia M. Fejzo, çmimi për skenarin më të mirë në Festivalin IV të Filmit Shqiptar). Vlerësimet e bëra për të si poete, për “dramacitetin e brendshëm të përjetimit dhe projektimit të tij metaforik”, apo se, në poezinë e saj “efekti përftohet edhe nëpërmjet kontrasteve”, mund të përdoren fare lehtë edhe për krijimtarinë e saj si shkrimtare e filmit. Në vitet 1987–1991 Natasha Lako ka qenë anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. E përshirë që në fillim në lëvizjen demokratike, si përfaqësuese e Partisë Demokratike zgjidhet deputete në parlamentin e parë pluralist (1991). Nga viti 1997 e deri më 2005 ka qenë drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe redaktore përgjegjëse e të gjitha botimeve të bëra nga ky institucion. Për gjatë 30 vjetëve, ka shkruar në shtypin shqiptar vazhdimisht për filma, probleme dhe figura të kinemasë sonë, ndërsa vitet e fundit edhe në shtypin e huaj. (Në fotografi: Natasha Lako)
Teksti: Kristaq Dhamo
Fotografia: © https://www.teksteshqip.com/natasha-lako
Përpunim grafik: AHCF




