Në Hoçisht të Korçës lindi Pandi Mele, piktor e grafist shqiptar i shekujve XX–XXI, Piktor i merituar. Artisti Pandi Mele kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë; përfundoi studimet për grafikë në Akademinë e Arteve “Repin” në Leningrad (Rusi, 1959–1961) dhe diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1964). Punoi modelues grafike dhe përgjegjës redaksie në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë. Pedagog, si dhe përgjegjës i ateliesë së grafikës në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë (1975–1994). Artisti Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare, si cikli “Motive Migjeniane” 1964, serinë grafike “Shtypi i partisë” 1984 dhe cikli “Rozafa” 1999 (studio e artistit). Pandi Mele, me veprën e tij, ndikoi dukshëm në realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë, ashtu dhe në konceptimin e saj. Mele ka realizuar postera, emblema, pulla postare dhe ilustrime të ndryshme. Mele ka hyrë në enciklopedinë “The Grove dictionary of art”, 2000, Macmillan Publishers Limited, New York. U nda nga jeta Boston (SHBA), në vitin 2015. (Në fotografi: Vepra e Meles me titull “Ju flet Tirana (nëntor 1944)”, 1976, vaj mbi kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 34.
Fotografia: © Ylli Drishti
Përpunim grafik: AHCF




