U nda nga jeta Pino Cacozza (Giuseppe Cacozza – Zef Kakoca), poet dhe kantautor arbëresh. Lindi në fshatin Shën-Mitër (it. San Demetrio Corone) të Kalabrisë, në vitin 1957. Ai ndoqi studimet në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën-Mitër (Kalabri) dhe u diplomua në gjuhët dhe letërsinë e huaj në Universitetin e Kalabrisë (1980), me specializimin në gjuhën dhe qytetërimin frëngjisht, shqip dhe anglisht. Si autor, kompozitor dhe këngëtar ai fitoi gjashtë herë Festivalin e këngës Arbëreshe (për të cilin ishte drejtor artistik për katër edicione). Pino Cacozza u njoh me publikun shqiptar që në fillim të viteve 1977. Ka marrë pjesë në disa aktivitete, sikundër ka qenë Festivali Folklorik i Gjirokastrës; po ashtu i pari arbëresh që merr pjesë si konkurrues në Festivalin Kombëtar Shqiptar në vitin 1992, ku u radhit ndër vendet e nderit të klasifikimit. Në vitin 2015, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e nderoi me titullin “Naim Frashëri”, për vlerat dhe kontributin si shkrimtar dhe kompozitor për të mirën e bashkatdhetarëve të tij dhe përtej, duke mbajtur gjallë një traditë të madhe të letërsisë dhe kulturës arbëreshe në përgjithësi”. (Në fotografi: Pino Cacozza)
Teksti: https://diasporashqiptare.al/2021/02/20/ndahet-nga-jeta-kengetari-arberesh-pino-cacozza/
Fotografia: © http://www.lenuoveere.it/blog/la-scomparsa-di-pino-cacozza-ci-lascia-nel-vuoto-piu-assoluto
Përpunim grafik: AHCF




