Në Tiranë u nda nga jeta Prokop Mima, aktor, Artist i merituar. Lindi në Durrës në vitin 1920. Në vendlindje kreu gjimnazin. Luajti rolin e Rozhe de Bervil në komedinë “Topazi” të Marsel Pagnol në shfaqjen përuruese të Teatrit të Shtetit, më 25 maj 1945. Ka realizuar mbi 80 role në teatër dhe 4 në kinematografi. Ishte aktor satirik. Loja e tij është çmuar për vizatimin e karaktereve të goditur, origjinalë, ku zëri kumbues, shqiptimi i pastër i fjalës dhe plastika i kanë shërbyer për përcjelljen me elegancë të figurave te spektatori. Ndër rolet më të arritura të tij janë: Zbisheku, te komedia “Morali i zonjës Dulska” e Gabriela Zapolskës (1958) dhe Xhivola te “Arturo Ui” e Bertold Brehtit (1971), nëpunësi i postës te “Revizori” (Nikolai Gogol), Vurmi te “Intrigë e dashuri” (Friedrik Shiler), Adhamudhi te “Pas vdekjes” (Çajupi), don Marku te “Cuca e maleve” (Loni Papa), gjenerallejtënanti te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (sipas romanit të Ismail Kadaresë) etj. Ka qenë pedagog i fjalës artistike në Institutin e Lartë të Arteve dhe recitues i talentuar i poezisë shqipe. (Në fotografi: Prokop Mima)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1720.
Fotografia: © https://berati.tv/njerezori-prokop-mima-nga-anisa-markarian/
Përpunim grafik: AHCF




