Pulla e parë kombëtare shqiptare u emetua dhe u vu në qarkullim. Qeveria e Ismail Qemalit, duke pasur në përbërje të saj si ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të veçantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave në veçanti. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për anëtarësim në Bashkimin Universal Postar (Universal Postal Union, UPU), realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Në tetor të vitit 1922, Shqipëria u bë anëtare e UPU-së. Nisur nga nevojat tejet të mëdha për pulla postare në fillimet e shtetit shqiptar, Ministria e Postave bëri zgjidhje shumë efektive e praktike. Brenda një periudhe tetëmujore, mars–dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash. Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfe. Kjo pullë-vulë në zarfe me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxor në shitje në 11 qytete, ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. (Në fotografi: Pulla e parë kombëtare shqiptare.)
Teksti: https://www.postashqiptare.al/c/84/historiku-i-pulles
Fotografia: © Posta Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




