Në Bari (Itali) u nda nga jeta Rexhep Hamit Demi, atdhetar, veprimtar i lëvizjes kombëtare në Çamëri. Lindi në Filat të Çamërisë, në vitin 1855. Qysh në vitin 1875 ishte bërë i njohur si një nga propagandistët e ideve kombëtare dhe të përhapjes së arsimit shqip. Hasan Tahsini e konsideronte si një nga nxënësit e pasuesit e tij besnikë. Në Kuvendin e Prevezës të vitit 1879, Rexhep Demi u zgjodh në Shtabin e Ushtrisë së Lidhjes së Jugut të Shqipërisë, në të cilën solli shumë luftëtarë të krahinës së Filatit. Nga fundi i shekullit XIX–fillimi i shekullit XX mbante lidhje me shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, Stambollit, Sofjes, Aleksandrisë e Janinës. Pushteti osman e dënoi me tre vjet burg në Janinë. Më 20 shtator 1908, nën drejtimin e tij u formua klubi “Shoqëria Patriotike Vllazëria e Filatit”. Rexhep Demi përfaqësoi si delegat Çamërinë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës (nëntor 1912). Në Qeverinë e Vlorës punoi si specialist i arsimit, por pas pak kohe u kthye në Çamëri dhe organizoi qëndresën kundër ushtrisë e bandave greke që kishin sulmuar tokat shqiptare të Jugut. Mori pjesë në luftën për mbrojtjen e Janinës (1912–1913) dhe ndërhyri për ndalimin e shpërnguljes së popullsisë çame në Turqi nga qeveria greke. U arrestua nga autoritetet greke e pas dy vjetëve burg erdhi në Shqipëri, ku punoi mësues në Konispol, Gjirokastër, Libohovë. Organizoi kurse kualifikimi për mësues dhe përgatiti tekste shkollore. U nda nga jeta në Bari (Itali), ku shkoi për kurim. U varros me nderime të mëdha nga arbëreshët e Italisë. Është dekoruar me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të klasit I. (Në fotografi: Rexhep Demi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 441–442.
Fotografia: © https://www.facebook.com/dontyou20me/photos/a.2161606247421119/2438290149752726/?type=3&locale=hi_IN
Përpunim grafik: AHCF




