Në Mokër të Pogradecit u vra Riza Cerova, veprimtar i lëvizjes kombëtare, demokratike dhe komuniste, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Cerovë të Skraparit, në vitin 1896. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Selanik e në Stamboll. Më 1911-n, u kthye në atdhe. Veprimtarinë atdhetare e filloi si vullnetar në çetat që luftuan kundër bandave të andartëve grekë në Shqipërinë Jugut (në vitet 1913–1914). Në janar 1920 mori pjesë në forcat që mbrojtën punimet e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në qershor, mori pjesë në sulmin për çlirimin e Tepelenës e të Vlorës nga pushtuesit italianë. Në vitet 1921–1924 u rreshtua në lëvizjen demokratike. Ishte ndër veprimtarët kryesorë në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe mbështeti zbatimin e programit të qeverisë demokratike të Fan S. Nolit. Në dhjetor 1924, luftoi për të ndaluar kthimin e Ahmet Zogut. Pas shtypjes së Revolucionit mërgoi jashtë vendit dhe u bë njëri nga veprimtarët kryesorë të organizatës Komiteti Nacional Revolucionar e më pas Komiteti i Çlirimit Nacional në Vjenë e në Gjenevë, duke u bërë pjesë në fraksionin komunist të kësaj organizate. Në gazetën “Liria Kombëtare”, më 1925–1935, shkroi artikuj kundër regjimit monarkist në Shqipëri, imperializmit dhe fashizmit dhe në mbrojtje të idesë së një revolucioni popullor. Në prill 1935, Riza Cerova u kthye në Shqipëri për të luftuar kundër pushtetit të Ahmet Zogut. Dha ndihmesë në organizimin e Kryengritjes së Fierit të vitit 1935, si njëri nga udhëheqësit kryesor të saj. Në krye të bashkëfshatarëve të tij u ndesh me forcat qeveritare, derisa ra në përpjekje, në Mokër. (Në fotografi: Riza Cerova)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 361–362.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Riza_Cerova
Përpunim grafik: AHCF




